Fjalë rasti me rastin e 25 vjetorit të maturës të gjeneratës së V (pestë) të nxënësve të ish Gjimnazit matematikor në Prishtinë (1976 – 79).
NE GJENERATA E KAPËRCIMIT TË SHEKUJVE
Të mbledhur nga rrethet anembanë trojeve tona, ne në një ditë të largët, u gjetëm befasisht brenda një trekëndëshi skolastik konvikt – shkollë - menzë i cili e përbënte oborrin e Gjimnazit Matematikor. Fëmijëria jonë u zu si në një grackë të ngrehur, por ambiciet tona për të zënë atë pak dije ndihej ngadhnjyese. Derisa në mes drojës dhe pasigurisë, ambicieve dhe pamundësisë filluan të zhvilloheshin brenda nesh proceset e përceptimit të thellë të njohurive, ne filluam të ndiheshim shumë të obliguar për misionin tonë para vetes, profesorëve, familjes dhe shoqërisë.Gjimnazi Matematikor përfaqësonte shkollën më profesionale të kohës, andaj ndiheshim krenar nga fakti se ishim nxënës të saj.
Edhe pse shpesh të zvogëluar nga ditët e ftohta dhe nga ushqimi jo i plotë ne nuk lejuam të na mbytej fantazia nga “serioziteti i tepruar”.
Ditët ngjiteshin me netët dhe kështu riciklohej jeta, derisa ne akceptonim aksioma dhe teorema. Formimi shkencor krijonte tek ne rezonimin e qartë, por shpesh na imponohej të ishim të “rrebeluarit e edukuar” deri në infantilitetin tonë të kohës. Mos qesheni me rrahjet masive të formës së Taralushës, as me marrëzitë e vjedhjeve të turshive. As me frustrimet e tundimeve të para të dashurive të parealizueshme. Qesheni lirisht me faktin se neve qysh atëherë na quanin irredentistë dhe nacionalistë, s’di a janë patën qëlluar, a jo? Shijet e athëta të thanave dhe të kulumrijave na kanë mbetë ndër buzë. Edhe kujtimet për mësimet e prof. Beranit , prof. Berishës , prof. Turkut, prof. Bejtullahut dhe të tjerëve, mbase kanë qenë shembujt e papërsëritshëm të mësimdhënies dhe të përkushtimit. Ne atëherë shikonim unazat e Jupiterit, ndërsa spiralja e jetës që na priste nuk ishte e lehtë. Me rëndësi është që funksioni ynë i jetës është mbijetimi dhe profesionalizmi ynë. Sot jemi këtu, jo për të numëruar rezultate, por për tu dashtë ndërveti si dikur!
Ne jemi gjenerata e kapërcimit të shekujve, kujtojeni recitimin e vjershës “Na të birtë e shekullit të ri”, dhe në kapërcim të shekujve thehen fatet. Por mbijetimi ynë krenar na bënë fatlumë.
Andaj të ndihemi të lazdruar sonte nga gëzimi se takohemi shëndoshë e mirë. Në Cakun tonë të Lulit le të cakërrohen gotat! Shoku ynë i ndjerë Ejupi, le ta na falë që sonte ne po takohemi pa të, ai ka pasë zemër të madhe, ai pushoftë i qetë aty ku përjetësia e dhuron mosharrimin.
Gëzuar për shëndetin e fëmijëve tanë!. JU FALEMNDERIT!
...................................................................................................................................................................